
Një i ri ka përfunduar në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohet për shitje të lëndëve narkotike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Quantity”, gjatë të cilit është goditur 1 rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. M., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit F. M., shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike të llojit kokainë dhe cannabis sativa, të ndara në doza, gati për shitje, një aparat celular dhe një shumë parash të dyshuar të përftuar nga aktiviteti i paligjshëm.
Nga verifikimet hetimore ka rezultuar se shtetasi F. M., pasi siguronte sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike kokainë dhe cannabis sativa, i ndante në doza të vogla, të cilat i shiste në zona të ndryshme të Tiranës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



