
Që nga fundjava e kaluar qindra vatra të zjarreve janë përhapur në Kosovë.
Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), rajoni më i prekur nga zjarret ka qenë ai i Pejës.
Përveç këtij qyteti, dëme të konsiderueshme në male e fusha nga zjarret janë shkaktuar edhe në Suharekë e Gjilan, teksa sipas AME-së, katër vatra të zjarrit janë ende aktive.
Vendi është duke u ballafaquar me mungesë të zjarrfikësve.

Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar sot se disa komuna të Kosovës nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës. Ai tha se komunat e rrezikuara nga zjarret janë duke u ndihmuar nga ato fqinje për ta përballuar situatën me përhapjen e zjarreve.
Tutje, ai ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Mbrojtjes janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë.
“Po bëjnë gjithçka në bashkëpunim me komunat që nuk kanë mjaftueshëm zjarrfikës. Unë jam në kontakt me kryetar të komunave dhe me mundësitë që kemi po bëjmë më të mirën. Po mobilizohemi dhe kemi kërkuar ndihmën e FSK-së dhe KFOR-it dhe mbajtja nën kontroll e këtyre zjarreve të egra paraqet sfidën për shtetin tonë dhe kemi rritur të mos kemi dëme të mëdha materiale dhe në njerëz“, ka thënë ai para gazetarëve.
Ministër i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, se “për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i”.
Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla shtoi se kanë hasur edhe në zjarrvënie të qëllimshme.
“Kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.
Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.
Po ashtu, vatra të reja të zjarrit janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Malishevës, Suharekës dhe Pejës.



