Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e avokatit për pezullimin e procesit të seancës për Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbi Garden” që kishte porositur kontenieret me banane ku u kapën 613 kg kokainë.
Arbër Çekaj i është drejtuar me një kërkesë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për përjashtimin e prokurorit të SPAK Edvin Kondili. Duke u nisur nga kjo kërkesë avokati i të pandehurit Çekaj, Maks Haxhia i kërkoi gjykatës pezullim të procesit derisa të shprehet KLP për largimin e prokurorit Kondili.
Seanca nisi me debate. Arbër Çekaj, deklaroi se “Prokurori përhapi lajme se unë kam folur dhe nxjerrë emra të tjerë, duke vënë në rrezik jetën e familjarëve të mi edhe të babait të moshuar. Unë s’do ta bëja këtë për familjen e prokurorit. Unë jam në burg, se jam prej Tropoje. Se kam pas një mbiemër, (Kuliçaj) që si pëlqen prokurorit. Ai e ka personale me familjen time.
Nëse SPAK s’ka prokurorë të tjerë, propozoj një nga Serbia meqë tani kemi dhe marrëdhënie të mira“-tha Çekaj.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit Kondili. “Nuk më trembin kërcënimet. Zotëri ndiq procesin dhe prit vendimin e bazuar në prova. Kërko pafajësi po do”-, tha Kondili.
Pas debatit, gjykata rrëzoi kërkesën për pezullimin e procesit deri sa te shprehet Këshilli i Lartë i Prokurorisë për kërkesën që Çekaj ka bërë.
Arbër Çekaj u arrestua në maj të 2018-tës në Gjermani. Ai është pronari i kompanisë së bananeve “Arbri Garden” në kontenierët e së cilës në fund të shkurtit të 2018 u kapën edhe 613 kg kokainë që vinin nga Kolumbia.



