Pas raportimit të ndotjes alarmante të bregdetit të Shëngjinit me mbetje vajore, Policia bën të ditur se ka mundur të identifikojë personin përgjegjës të kësaj ngjarje. “Identifikohet dhe shpallet në kërkim kapiteni i anijes së një subjekti që dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore duke ndotur ujin në detin e Shëngjinit. Rreth orës 15: 10 , jemi njoftuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, se kanë konstatuar ndotje të ujit, në fillimin e shetitorës në bregdetin e Shëngjinit”, njofton policia.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Shëngjin, të Komisariatit Lezhë dhe specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Lezhë kanë shkuar vendin ku është konstatuar ndotja dhe kanë kryher veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Gjatë verifikimeve të kryera dhe pas administrimit të raportit të nisjeve të anijeve në portin e Shëngjin, nga shërbimet e Policisë, ka rezultuar se ka dalë në lundrim anija tregtare me kapiten shtetasin E. K., për të cilin u bë shpallja në kërkim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës”, pasi dyshohet të ketë hedhur mbetje vajore në detin e Shëngjinit.
Gjithashtu, janë marrë mostra të ndotjes për ekzaminim të mëtejshme, si dhe është administruar praktika e daljes së anijes nga porti. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



