
Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër veprimtarive të paligjshme në kryeqytet.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Multiple”, është goditur një rast i aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë një kontrolli të ushtruar në një lokal në rrugën “Mikel Maruli”, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, identifikuan dhe ndaluan dy shtetas të përfshirë në veprimtari kriminale. Me këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi R. U., 34 vjeç, banues në Tiranë, i kapur duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit.
U shpall në kërkim shtetasi E. P. (T.), 32 vjeç, pasi në çantën e tij, të lënë në ambientet e lokalit, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Vijon puna për kapjen e tij.
Poashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë pronari i lokalit, shtetasi I. K., 32 vjeç, për vënien e ambientit në dispozicion të këtyre paligjshmërive.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një sasi kokainë, një celular që përdorej për vënien e basteve si dhe disa mjete identifikimi.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.



