Një “shtëpi bari” është zbuluar në Lezhë, gjatë operacionit të koduar “Blinisht 2”, ku një banesë ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e një të afërmi të shtetasit Agron Sallaku, të cilën ky i fundit e kishte në ruajtje, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra fara të dyshuara narkotike kanabis.
Gjithashtu u gjet dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, 28 llamba elektrike dhe pajisje të ndryshme që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Gjatë operacionit “Blinisht”, që u zhvillua ditën e djeshme, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 230 fidanë të dyshuar narkotikë, të cilët shtetasi Agron Sallaku, i kishte kultivuar në kubikë, në afërsi të banesës së tij.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Lezhë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.



