
Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me tubimet e zhvilluara më 22 dhe 23 qershor 2026, kanë identifikuar dhe proceduar penalisht 11 shtetas, të dyshuar për veprime që kanë cenuar rendin dhe qetësinë publike.
Policia bën me dije se shtetasit D. G., 50 vjeç, I. D., 55 vjeç, E. E., 32 vjeç, E. B., 29 vjeç, V. D., 30 vjeç, E. Z., 26 vjeç, Xh. P., 27 vjeç, B. K., 36 vjeç, D. B., 32 vjeç, Sh. B., 34 vjeç dhe I. M., 28 vjeç, janë proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Sipas hetimeve paraprake, këta shtetas dyshohet se kanë orientuar dhe zhvilluar tubimet në zona të ndryshme nga ato të njoftuara zyrtarisht, konkretisht në kryqëzimin e rrugës “Urani Pano” me bulevardin “Zogu I”, në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me Rrugën e Kavajës, si dhe në kryqëzimin e rrugës “Ibrahim Rugova” me bulevardin “Gjergj Fishta”.
Si pasojë e zhvillimit të tubimeve në këto akse me fluks të lartë lëvizjeje, është penguar qarkullimi i automjeteve dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore.



