
Një person i cili qëlloi me armë, në fshatin Gjat, Gjirokastër, është vënë në prangat e policisë.
Si rezultat i veprimeve intensive dhe profesionale, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Dh., 17 vjeç, banues në fshatin Gjat, Gjirokastër.
17-vjeçari dyshohet se në orët e mbrëmjes së djeshme ka qëlluar në ajër me armë zjarri automatike, në fshatin Gjat, Lunxhëri.
Pasi ka qëlluar, 17-vjeçari ka fshehur armën e zjarrit dhe është larguar, por është kapur brenda pak orësh nga shërbimet e Policisë.
Gjithashtu nga policia është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit, me të cilën dyshohet se ky shtetas ka qëlluar në ajër, si dhe dy krehra.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit të arrestuar u gjet edhe një armë sportive, të cilën ky shtetas e dispononte pa lejen përkatëse.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Gjirokastër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike”.



