Një person në Sarandë vjedh një çantë me 6000 euro në një hotel dhe tenton që të vjedhë edhe një makinë të parkuar.
Uniformat blu të Sarandës pas hetimeve të kryera dhe nga këqyrja kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i Arif Mançe, 37 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se 37-vjeçari më 4 janar, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.
Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se Mançe ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:
-më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;
-më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.
Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.



