
Një 28-vjeçar shqiptar akuzohet se shkaktoi aksidentin e ndodhur dy javë më parë në Pignataro Maggiore, kur një 61-vjeçar nga Mondragone (Caserta) u përplas dhe humbi jetën në vend. Pas këtij momenti, shqiptari ka braktisur makinën dhe ishte arratisur në këmbë, por policia, falë disa faturave nga një qendër bastesh ku shqiptari kishte luajtur arriti që të bënte krahasimin e ADN-së.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 3 majit ndërsa viktima, Federico Boçuçi, ishte drejtues i makinës “Fiat Punto” që u përplas në komunën e Pignataro Maggiore (Caserta). Makina e italianit u përplas me një makinë tip “Alfa 156”, e cila drejtohej nga shqiptari, i cili gjithashtu ishte duke ecur kundravajtje. Pas përplasjes së forte, mediat italiane shkruajnë se 61-vjeçari ndërroi jetë në vend, ndërsa shqiptari u arratis, para se policia të mbërrinte në vendngjarje. Por në makinën e braktisur të shqiptarit, grupi i ekspertëve gjetën edhe një njollë gjaku dhe fatura nga një qendër bastesh sportive.
Në këtë mënyrë karabinierët arritën të gjurmonin njeriun që kishte vënë bastet, një shqiptar 28-vjeçar. Që në atë moment kërkimet për gjetjen e shqiptarit vijuan, por vetëm pas më shumë se dy javësh, ata arritën ta arrestonin atë në Vipiteno, në provincën e Bolzanos. Shqiptari u arrestua me urdhër të Prokurorit Publik të Santa Maria Capua Vetere.
Krahasimi i ADN-së së tij me atë të marrë nga gjaku i gjetur në Alfa ishte vendimtar. Sipas karabinierëve burri, i cili ishte larguar me shpejtësi nga Campania, po planifikonte të ikte në Shqipëri, ndërsa ndaj tij tashmë rëndon akuza për vrasje në rrugë.



