Sherri mes dy kushërinjve në lidhje me një borxh prej 300 eurosh të pakthyera ka përfunduar në plagosjen me thikë të njërit prej tyre. Fillimisht ata janë grindur në rrjetin social “Facebook”, ku edhe janë ofenduar.
Më pas janë takuar, ku përveç grushteve është përdorur dhe arma e ftohtë. Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, por pak ditë më parë Gjykata e Tiranës përfundoi gjykimin për të akuzuarin si autor i ngjarjes, Armando D. Ai u deklarua fajtor për akuzën e “plagosjes së rëndë me dashje” dhe u dënua me 5 vjet burg. Në vendimin e saj gjykata ndryshoi kualifikimin ligjor të veprës penale për të cilën u fajësua i pandehuri, pasi ai u dërgua në gjyq si i pandehur për akuzën e “vrasjes me dashje të mbetur në tentative”.
I pandehuri Armando D. përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas Gjykatës, në korrikun e vitit të kaluar i dëmtuari i kishte kërkuar disa herë kushëririt të tij, të pandehurit Armando D., shumën e 300 eurove qe i detyrohej prej gati dy vitesh. Ky i fundit ishte justifikuar se do t’ia kthente pas gjashtë muajsh. Më 15 korrik ata kanë komunikuar fillimisht me njëri tjetrin në rrjetin social “Facebook”. Në këtë komunikim ata janë ofenduar dhe i dëmtuari ka kërkuar të takohen atë ditë. Në momentin që janë takuar, pasi janë përshëndetur, i dëmtuari i ka kërkuar paratë dhe e ka qëlluar me grusht. Ai është ndihmuar dhe nga dy shokë të tij, të cilët kanë mbajtur nga krahët të pandehurin. Sipas Gjykatës, në këtë moment i pandehuri e ka qëlluar të dëmtuarin me një biçak në anën e majtë të gjoksit.
Sipas vendimit të Gjykatës, gjithë ngjarja ka ndodhur përpara një lokali dhe është filmuar nga kamerat e sigurisë. “Në momentin që ka ndodhur ngjarja, autori ka qenë në lokal dhe ka dalë në oborr. Sikundër rezultoi nga deklarimet e personave të pranishëm dhe pamjet filmike të sekuestruara si provë materiale, ai e ka pasur thikën me vete, në xhep”, theksonte Gjykata në vendim.



