
Policia e Tiranës përmes operacionit të koduar “Table”, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, ka vënë në pah një veprimtari të paligjshme në fushën e lojërave të fatit.
Sipas policisë, 33-vjeçari kishte vënë në dispozicion lokalin e tij, për organizimin e lojërave të fatit.
Me këtë rast pos tij, janë arrestuar edhe katër shtetas të tjerë që u kapën në flagrancë duke luajtur lojëra fati, në këtë lokal.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- A. N., 33 vjeç, për veprat penale "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Organizimi i lotarive të palejuara";
- L. M., 55 vjeç, A. K., 29 vjeç, A. A., 38 vjeç dhe S. R., 27 vjeç, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara".
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit A. N., shërbimet e Policisë kanë konstatuar një tavolinë të përshtatur për lojëra fati. Në ambientet e lokalit janë konstatuar edhe shtetasit L. M., A. K., A. A. dhe S. R., duke luajtur lojëra fati, me anë të zareve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të përfituara kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



