
Është përfshirë nga flakët tregu i ri i fruta-perimeve në Lushnjë, në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pranë stadiumit.
Korrespondentja e “MCN Live”, Evi Gjini, raportoi se fillimisht zjarri u dyshua si aksidental, por nga kamerat e sigurisë ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
Fillimisht zjarri u dyshua si aksidental për shkak të materialeve lehtësisht të ndezshme në ambientet e tregut, si plastika, dërrasat, tavani dhe arkat, që favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve.
Megjithatë, nga këqyrja më e detajuar e kamerave të sigurisë, burime paraprake bëjnë me dije se janë identifikuar tre persona të dyshuar, të cilët dyshohet se kanë vendosur zjarrin qëllimisht.
Identiteti i tyre ende nuk është bërë publik, pasi po verifikohet nga policia.
Tregu ishte ndërtuar tre vite më parë nga bashkia dhe aty tregtonin çdo ditë produktet e tyre rreth 50 tregtarë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, ndërsa i gjithë malli i lënë brenda është shkrumbuar.
Dëmet e shkaktuara llogariten në miliona lekë, ndërsa mësohet se tregtarët pritet të dëmshpërblehen.
Deri në rikonstruksionin e tregut, ata do ta ushtrojnë aktivitetin jashtë objektit.



