
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se shteti serb përveç që ka ndaluar autobusët me shtetasit e Kosovës në kufirin me Kroacinë, të njëjtën po e bën edhe në kufirin me Hungarinë.
MPJD në një komunikatë për media apelon te të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.
Qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.
Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e KUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejtë.
Apelojmë tek të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.
Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vet presidenti i Serbisë Vuçic, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare.
Në një reagim të ri, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka bërë të ditur se i ka njoftuar shtetet e QUINT-it (SHBA, Britani, Gjermani, Itali, e Francë) dhe institucionet e Bashkimit Evropian e të tjera, për bllokimin e qindra kosovarëve në pikëkalimet kufitare të Serbisë me shtetet tjera.



