Vrasja e djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi po hetohet nga SPAK. Ndërsa në më pak se 10 sekonda një skuadër e krimit të organizuar ekzekutoi Klaudjo Prendin pas kafes që ai piu me shokët e tij polic. 30 minuta pasi kishte kaluar mesnata e 19 nëntor 2024, Klaudio Prendi 27 vjeç djali ish-gjyqtarit të posaçëm Fran Prendi, do të ekzekutohej nga një grup i strukturuar kriminal. Është ky konkluzioni i hetuesve të policisë dhe Prokurorisë së Tiranës të cilët materialet për zbardhjen e krimit ja kanë deleguar SPAK.
Një automjet “Audi” i vjedhur disa muaj para kryerjes së krimit dhe me targa false afrohet me shpejtësi, autorët e dyshuar pa dalë nga mjeti qëllojnë pesë herë me armë me silenciator duke i marrë jetën Prendit. Siç dhe shihni në këto pamje të siguruar nga emisioni “FactCheck” dy të shtënat e para janë në xhamin e përparmë të fuoristradës në të cilin hipi Klaudio Prendi.
Autorët rezulton se kanë ndjekur çdo lëvizje të tij dhe sapo ai është çuar nga lokali për të lëvizur me mjetin e tij të parkuar në rrugë, ka rënë pre e të shtënave. Tre plumba të tjerë janë qëlluar në anën e shoferit në xham duke realizuar planin e vrasësve për të eliminuar fizikisht të riun Klaudio Prendi.
Pak minuta pas këtij krimi automjeti i përdorur nga vrasësit të cilët dyshohet të kenë qenë tre persona u gjet i djegur në zonën e farkës në periferi të Tiranës. Në këto foto duket qartë gjurmët e lëna nga plumbat që i morën jetën Prendit, përtej ndihmës së dhënë atij dhe dërgimit në Spitalin e Traumës.
Edhe pse ende s’ka një pistë për zbardhjen e krimit, dyshimet e hetuesve janë fokusuar si në funksionin e Fran Prendit babait të viktimës. Ai është ish-gjyqtar i krimeve të rënda dhe gjykatës së posaçme. E po ashtu hetuesit po verifikojnë dhe konflikte të mundshme që vetë Klaudio mund të ketë pasur me persona të botës së krimit. Pak para ekzekutimit ai rezulton se ka qenë në një bar kafe në zonën e “Xhamllikut” në kryeqytet në shoqërinë e të njohurve të tij mes tyre dhe efektiv policie të repartit “Shqiponja” në Tiranë.



