
Mund të duket e çuditshme, por e qara e bebeve varion nga gjuha në gjuhë. Bebet e lindura në Azi dhe Afrikë qajnë ndryshe nga bebet evropiane. Ky është rezultati i dy studimeve të kryera nga Universiteti i Wurzburgut në Gjermani. Sipas studimeve, e qara e foshnjave kineze është është më melodike në raport me bebet gjermane. Kjo mund të shpjegohet drejtpërdrejt me gjuhët, pasi theksi i dialekteve mandarine ndryshon nga ai i gjermanishtes. Në funksion të dy studimeve të kryera në vitin 2009 janë analizuar të qarat e 55 foshnjeve në spitalin e Pekinit dhe 21 të tjera në një qytet të Kamerunit.
Kathleer Wermke, e cila i ka drejtuar të dy studimet, vijon të studiojë të qarën e bebeve në Klinikën Universitare të Wurzburgut, në Qendrën për Çrregullimet e Zhvillimit. Ajo ka mbledhur deri tani mbi gjysmë milioni regjistrime të bebeve nga zona të ndryshme të Kinës dhe Kamerunit. Dëgjimi dhe imitimi janë thelbësore për zhvillimin e gjuhës. Deri në tremujorin e tretë, një fetus mund të dëgjojë ritmin dhe melodinë e zërit të nënës së tij. Duke qenë se fjalët mund të manipulohen nga indet dhe lëngu amniotik, melodia e zërit të nënës bëhet karakteristikë përcaktuese e gjuhës për fetusin.
Pasi lind, një bebe mund të imitojë shumë tinguj. Por kjo aftësi është fituar që në barkun e nënës, e folura e së cilës bëhet një udhëzues i dobishëm për tingujt që vijnë nga njerëzit përreth. Falë saj, bebet kanë një model për të bërë dallimin midis gjuhëve. Për më tepër, fakti që nëna mund të flasë në dy gjuhë nuk e komplikon procesin e njohjes. Fëmijët e ekspozuar ndaj dy gjuhëve që në barkun e nënës janë plotësisht të aftë për t’i përvetësuar të dy gjuhët në të njëjtën kohë. Ato nuk e kanë ende konceptin e gjuhës, por dinë të dallojnë ritmin e tingujve të një gjuhe nga ai i një tjetre.



