Një person është vënë në prangat e policisë së Lushnjës dhe një tjetër është shpallur në kërkim, të dyshuar për vjedhjen e katër motomjeteve elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Savër.
Pas kallëzimit nga shtetasi I. S., se në biznesin e tij në lagjen “Savër”, i kishin vjedhur sende të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e vjedhjes dhe identifikimin e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është bërë e mundur identifikimi i autorëve.
Në vijim të veprimeve operacionale u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, Ergest Prençe, 38 vjeç, banues në Pirrë, si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga ana e policisë po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 34-vjeçarit.
Ndërkohë vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.



