Një person i cili ndezi zjarr në fshatin Mërtiraj për të pastruar barërat në kullotën e tij dhe si pasojë u dogjën 10 ha tokë dhe 320 rrënjë ulliri, është vënë në prangat e policisë së Vlorës.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Stacioni i Policisë Selenicë vuri në pranga shtetasin B. H., 63 vjeç, banues në fshatin Kocul, Vlorë.
Ky shtetas, më datë 11 gusht, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e barërave në kullotën e tij, në fshatin Mërtiraj. Si pasojë e erës, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka djegur një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh, 320 rrënjë ulliri dhe bimësi të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të metejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.



