
Tirana International Airport njoftoi sot për kriteret e udhëtimit drejt Gjermanisë pas heqjes së kufizimeve të hyrjes së udhëtarëve shqiptarë nga Shqipëria në Gjermani.
Qeveria Federale Gjermane ka hequr të gjitha kufizimet e hyrjes për personat me banim në Shqipëri. Efekti i këtij vendimi fillon sot, ditën e diel, më 20.06. 2021. Udhëtimet drejt Gjermanisë të personave me banim në Shqipëri dhe pasaporta biometrike, duke filluar nga kjo datë janë përsëri të lejueshme për të gjitha kategoritë e udhëtimit.
Për të gjithë pasagjerët e Tirana International Airport që udhëtojnë në Gjermani kërkohet një nga këto kritere: Një test COVID, ose një dëshmi që personi e ka kaluar ose është vaksinuar (vaksinimi me vaksinat e njohura nga EMA).
Konkretisht vaksinat që janë të njohura nga Gjermania janë Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Për pasaportat biometrike kërkohen dy dozat e vaksinave të aprovuara nga EMA, apo një dozë e Johnson & Johnson.
Për udhëtarët, që hynë në Gjermani në rrugë ajrore, vazhdon të jetë në fuqi detyrimi i një testi përpara nisjes (test PCR- jo më herët se 72 orë përpara fluturimit, ose test antigen, jo më herët se 48 orë përpara fluturimit).
Udhëtarët e vaksinuar plotësisht me një prej vaksinave të përmendur në linkun https://www.pei.de/impfstoffe/covid-19 apo të shëruarit (jo më pak se 28 ditë pas shërimit dhe jo më shumë se 6 muaj pas tejkalimit të infeksionit), të cilët zotërojnë një dokument që provon vaksinimin apo shërimin, i formuluar në gjuhën gjermane, angleze, franceze, italiane apo spanjolle, në versionin hard copy apo atë digjital, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ në momentin e hyrjes në rrugë ajrore nga Shqipëria në Gjermani.
Nuk është më i detyrueshëm regjistrimi digjital i udhëtimit dhe detyrimi i karantinës.



