Një operacion i koduar “Transit” është finalizuar me sukses nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, duke goditur një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit për emigrantët nga vendet e treta.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare kanë arrestuar në flagrancë shtetasin B. L., 39 vjeç, banues në Tiranë. Ai u kap në fshatin Alijaj duke transportuar kundrejt pagesës 16 emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin ilegalisht drejt territorit të Malit të Zi.
Siapas njoftimit të policisë, 9 nga emigrantët e bllokuar ishin nga Afganistani, 5 nga Somalia dhe 2 nga Bangladeshi. Gjatë aksionit, policia sekuestroi edhe automjetin të cilin 39-vjeçari e kishte marrë me qira për të kryer transportin.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për hetime të mëtejshme.



