Dhunuan fizikisht dhe plagosën me armë zjarri, një person mbrëmjen e djeshme në Lezhë, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar.
Rreth orës 22:30 të datës 08.05.2023, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Lezhë, ka shkuar për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasi Aleks Laska, 22 vjeç, banues në Rrilë.
Menjëherë pas njoftimit, grupi hetimor ka filluar veprimet hetimore për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve.
Si rezultat i punës hetimore profesionale intensive, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorëve të dyshuar, shtetasve: Leandro Frroku, 29 vjeç, Xhuljano Frroku, 26 vjeç dhe Agustin Shahini, 27 vjeç, të tre banues në Lezhë.
Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin Aleks Laska, si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë.
Vijon puna për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



