
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, gjatë aplikimit të sotëm për renovimin e dokumentit të tij të identifikimit, bëri thirrje për këdo që tashmë ka një ID të skaduar, t’i drejtohet zyrave të “Aleat”, të cilat do të jenë të hapura edhe gjatë ditës së shtunë për aplikim.
“Përfitoj nga rasti t’ju bëj thirrje gjithë shqiptarëve që iu ka skaduar dokumenti i identitetit të shpejtojnë për të marrë dokumentin e ri. Karta e identitetit është çelësi kryesor që mundëson që shqiptarët të marrin dhjetëra shërbime online që ofrohen përmes portalit e-Albania. Këto shërbime përfitohen vetëm duke pasur një dokument identiteti të vlefshëm. Përveç kësaj dua t’ju bëj thirrje shqiptarëve që të aplikojnë për dokument identifikimi, nëse iu ka skaduar, sepse në zgjedhjet e 25 prillit ky dokument do të jetë i vetmi për identifikimin e zgjedhësve”, u shpreh ministri Çuçi.
Përsa iu përket shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut, janë hapur 6 zyra të reja aplikimi pranë konsullatave tona në disa vende europiane, në mënyrë që ata të aplikojnë për rinovimin e kartës së identitetit. Aplikimin për kartë identiteti qytetarët mund ta bëjnë në çdo zyrë të kompanisë në Shqipëri pavarësisht zonës ku banojnë. Për të mos krijuar radhë nëpër zyra gjatë aplikimit, qytetarët mund të rezervojnë online në portalin e-Albania.



