Policia e Tiranës ka arrestuar shtatë persona gjatë orëve të fundit, ndaj të cilëve rëndojnë akuza për vepra të ndryshme penale. Dy prej tyre, sipas policisë, ishin shpallur në kërkim.
Konkretisht, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. Sh., 36 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Korçe, bënë ndalimin e shtetasit A. H., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”.
Forcat e Posaçme “Shqiponjat” në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.2, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. M., 25 vjeç, pasi duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” , u konstatua jashtë banese.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: M. M., 20 vjeçe dhe A. Ç., 40 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën "5 Maji" janë përfshirë në një aksident, ku për pasojë është dëmtuar këmbësori shtetasi F.A., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve; F. I., 21 vjeç, pasi në rrugën e Elbasanit, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; A. C., 35 vjeç, pasi në rrugën “Donald Trump”, në “Kamzë, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.71 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



