
Tetova dhe e gjithë Maqedonia e Veriut përjetuan mbrëmjen e së mërkurës një tragjedi të rëndë, ku si pasoje e një shpërthimi në një prej spitaleve covid në Teto deri tani është raportuar për 14 viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Për edicionin e lajmeve në MCN Tv, gazetari Zekirija Mexhiti, tha se prokurorët nga Prokuroria e Shkupit dhe e Tetovës, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij zjarri të përmasave tragjike.
“Në këtë drejtim akoma po bëhen ekspertiza, përgjatë orëve të para kanë dalur katër prokurorë nga Prokuroria e Shkupit dhe dy nga ajo e Tetovës, për të bërë ekspertizën e kësaj tragjedie.
Bëhet fjalë për këtë spital modular, të krijuar vetëm muaj më parë dhe në këtë moment, kur kemi të bëjmë më valën e katër të koronavirusit në MQ dhe janë stërmbushur edhe pavijonet e spitaleve në vend”.
Gazetari Mexhiti, ka bërë të ditur se për spitalin modular në Tetovë edhe muaj më parë ka pasur denoncime ne media, për mënyrën e instalimit të oksigjenit por edhe për mënyrën e ndërtimit të tij me materiale plastike.
“Ka pasur denoncime në media për disa anomali ne instalimin e oksigjenit për terapi, por duket se ato denoncime nuk janë marrë parasysh nga administrata e spitalit, dhe mund të ketë qenë një nga arsyet që kanë çuar deri te ky shpërthim, meqë kemi të bëjmë me ndërtim spitali me material plastike, dhe materiale të lehta, dhe shpërndarja e zjarrit është mëse e lehte në këto lloj ndërtimesh”.
Mexhiti thotë me tej, se aludohet në tre pista dyshimi për zjarrin në këtë spital.
“Përderisa ende nuk kemi një pistë zyrtare nga prokuroria, aludohet për tre pista të mundshme: e para, defekt që mund të ketë pasur në sistemin e oksigjenimit, e dyta, mund të ketë ardhur nga shpërthimi i një bombole gazi që mund të jetë përdorur nga pacientët e shtruar apo familjarët e pacientëve dhe e treta dhe ajo më pak e mundshme, ajo e zjarrevënies së qëllimshme, por të gjitha këto mbeten në suazat e spekulimeve derisa nuk ka përgjigje zyrtare nga Prokuroria”.
Gazetari Mexhiti, konfirmoj se janë dhjetë pacientë që pësuan djegie nga ky aksident, të cilat janë hospitalizuar tashmë në spitalin e Shkupit për djegie të shkallës së rëndë, dhe katër të tjerë të cilët po marrin mjekim në spitalin e Tetovës.



