
Prokuroria e Përgjithshme ka dhënë detaje në lidhje me verifikimet që po kryen në lidhje me Valdrin Pjetrin dhe Agim Kajmakun.
Në njoftimin e tij, organi i akuzës sqaron ecurinë e verifikimeve të deritanishme për rastet në fjalë.
Në lidhje me rastin e Valdrin Pjetrit, prokuroria bën të ditur se deri tani janë administruar përgjigjet e 23 prokurorive të rretheve gjyqësore/apele në lidhje me kërkesën për kallëzime/referime/procedime penale, ka qenë ose jo nën hetim, është caktuar ose jo ndonjë masë sigurimi, është dënuar ose jo, me vendim jopërfundimtar apo të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale. "Jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet italiane të drejtësisë, si dhe të përgjigjes nga autoritetet policore italiane, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi".
Ndërsa lidhur me rastin e Agim Kajmakut, prokuroria thotë se të gjitha veprimet e mundshme janë kryer brenda një afati prej 7 ditësh nga momenti i paraqitjes së kërkesës për verifikim, ndërkohë që priten përgjigjet e autoriteteve greke të drejtësisë dhe atyre policore.
Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku, të zgjedhur më 30 qershor përkatësisht si kryebashkiak i Shkodrës dhe Vorës, kanë qenë në qendër të akuzave të PD-së javët e fundit. Demokratët thonë se ata janë të dy subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë funksione publike. Valdrin Pjetri ka dhënë dorëheqjen pak ditë para marrjes së detyrës, ndërsa opozita kërkon të njëjtën gjë edhe nga Kajmaku.



