Policia e Tiranës ka goditur një rast të veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në Tiranë. Ky rast u godit si pasojë e hetimit disa javor, në kuadër të operacionit të koduar “Lapraka”, nga seksioni për hetimin e narkotikëve në Policinë e Tiranës.
“Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, automjeti me të cilin autori qarkullonte për të shpërndarë lëndën narkotike dhe katër aparate celular”, njoftoi policia.
Ndërkohë, sipas policisë, në pranga është vënë shtetasi me inicialet R.S., 40 vjeç. Ai dyshohet se shpërndante drogëra të forta në doza të vogla në zona të ndryshme të Tiranës. Ndërsa, policia thotë se hetimi ndaj tij nisi pas disa informacioneve që kishte marrë në rrugë operative.
“Gjatë operacionit policor të koduar ‘Lapraka’, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kapën në rrugën ‘Allman Dervishi’ dhe më pas arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjetën 63 doza lëndë narkotike kokainë, një shumë lekësh që dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike dhe katër aparate celular, të cilët janë sekuestruan në cilësinë e provave materiale bashkë me automjetin”, njoftoi më tej policia.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.



