
34-vjeçari Elion Hysa, i cili ishte shpallur i zhdukur prej disa ditësh është gjetur i vrarë dhe i groposur pranë zonës së Niklës në Fushë Krujë.
Ishin familjarët e Hysës që denoncuan rastin ditën e hënë, duke kërkuar ndihmën e policisë për gjetjen e djalit të tyre, ndërkohë që prej tre vitesh ai i fshihej drejtësisë.
Sipas hetimeve paraprake dyshohet se Hysa fillimisht është vrarë dhe më pas groposur pranë varrezave të Niklës.
Hysa rezulton një person i njohur nga policia dhe ishte shpallur në kërkim, pasi ai ishte dënuar në mungesë për vrasjen e Edmond Theodhorit të ndodhur me 10 korrik të vitit 2015-të në Sarandë, ku dyshohet se ishte bashkëpunëtor.
Por menjëherë policia ka identifikuar autorët e kësaj ngjarje dhe ka shoqëruar një prej tyre.
"Grupi hetimor ka bllokuar një sërë provash materiale duke bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar ku njëri prej tyre, shtetasi H.R. është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe është shpallur në kërkim shtetasi A.T", bën me dije policia.
Grupi hetimor me ekspertë të fushës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë po punojnë për sqarimin e të gjithë rrethanave të ngjarjes.



