Ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan është zhvilluar seanca gjyqësore e radhës së Arbër Paplekajt. Korrespondenti i MCN TV raporton se gjyqi nisi në orën 09:00 të mëngjesit dhe ende nuk ka përfunduar.
Sot avokatët po bëjnë parashtrimet dhe pretendimet e tyre në përgjigje të provave që Prokuroria ka paraqitur për ngjarjen. Deri tani janë bërë dy pushime ku në seancën e sotme nuk janë thirrur 68 dëshmitarët për tu marrë në pyetje nga trupi gjykues ndërsa avokatët kanë paraqitur parashtrimet e tyre për personat që ato po mbrojnë.
Paplekaj ka kërkuar sërish një riekspertim të skenës së vrasjes së Pjerin Xhuvanit. Ndonëse Prokuroria e Elbasanit ka kryer më herët riekspertimin e vrasjes në 14 qershor 2021. Kërkesa bëhet për shkak të një mos akordancë midis distancave nga viktima te qitësi dhe nga viktima te gëzhoja.
Ndërkaq, avokati pretendon se ka ende detaje të reja në lidhje me ngjarjen dhe një mospërputhje provash. Gjykata ka rrëzuar kërkesën e avokatit të Paplekës për pavlefshmëri të aktit të ekspertimit. Në alternativë për mos përsëritje, ai kërkoi që riekspertimin ta kryenin ekspertë të tjerë të licensuar. Por gjykata hodhi poshtë kërkesën dhe vlerësoi provat e Porkurorisë, sikundër është edhe riekspertimi i datës 14 qershor 2021. Seanca e radhës do mbahet më 11 janar në orën 11:00.



