
Restoranti dhe hoteli i një personi të dënuar në Belgjikë për shfrytëzim prostitucioni, është vendosur nën sekuestro në Cërrik,
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan, u konfiskua pasuria e shtetasit Arjan Kamami i dënuar në Bruksel, Belgjikë për veprën penale “Ushtrim prostitucioni”.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.11 të vitit 2020, prokuroria kërkoi konfiskimin e një objekti 2-katësh, bar dhe restorant dhe hotel në pronësi të shtetasit Arjan Kamami në zonën kadastrale nr.2559 në Malasej, Cërrik pasi provoi se shtetasi në fjalë nuk justifikon pasuritë e vendosura në vite me të ardhurat.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan kërkoi konfiskimin pasi dyshon se pasuria e shtetasit Arjan Kamami rrjedh nga aktiviteti i tij kriminal në Belgjikë.
Ky shtetas, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Bruksel për prostitucion dhe është dënuar me 5 vite burgim si dhe gjobë prej 84 mijë eurosh së bashku me disa shtetas të tjerë shqiptar.
Hetimet vijojnë për personat e tjerë, të cilët rezultojnë të dënuar së bashku me shtetasin Arjan Kamami në Belgjikë.



