
Task Forca e Inspektoriatit të Peshkimit ka sekuestruar një sasi prej 60 kg dateri, që po hynin kontrabandë nga Greqia përmes pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.
Dateri ishte futur në kuti metalike, të cilat më pas ishin fshehur në kuti të tjera kartoni dhe po transportoheshin me një furgon pasagjerësh. Ligji “Për Peshkimin” ndalon peshkimin, mbajtjen në bord, tranzitimin në barkë dhe anije, zbarkimin e qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum, në çdo periudhë, zonë e me çfarëdo lloj mjeti a pajisjeje të gurëshpuesit (dateri) - Lithophaga Lithophaga.
Konsumimi i këtij lloj molusku është i ndaluar më ligj në Europë që prej vitit 2006. Edhe pse është specie në zhdukje, dateri mbrohet me ligj më shumë për faktin sepse gjendet në brendësi të shkëmbinjve dhe përpjekja për ta nxjerrë që andej i shkakton dëme të mëdha mjedisit nënujor, shkëmbinjve gëlqerorë dhe brezit koralor.
Policia e Shtetit bën të ditur se po heton për të zbuluar porositësin e kësaj sasie dateri dhe për të vendosur masën administrative sipas parashikimit ligjor. Kontrollet do të vazhdojnë të shtrira edhe ndaj restoranteve ose dyqaneve që e tregtojnë, të cilët rrezikojnë mbylljen nga 6 muaj deri përfundimisht.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën apel që kjo specie e ndaluar me ligj të mos peshkohet apo tregtohet.



