Rumuni George Coman i akuzuar për transport të lëndëve narkotike ka dalë sot para togave të zeza në gjykatën e Korçës për tu njohur me masën e sigurisë.
Para fillimit të seancës është habitur me praninë e madhe të kamerave të gazetarëve dhe ka filluar të bëjë humor me ta.
George Coman dhe Daniela Buturugaru tri ditë më parë u kapën në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës me 118 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Për të dy gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Avokati i rumunëve Mateo Balli deklaroi në gjykatë se të dy shtetasit mohojnë të kenë dijeni për drogën.
Ndaj tyre u kërkua masë më e lehtë sigurie, si ndalim i daljes jashtë Shqipërisë, por u refuzua nga gjykata.
Dy të ndaluarit deklarojnë që kanë qenë turistë dhe kanë kaluar pushime në Selanik, duke thënë se të dy janë ndihmës kuzhinierë.
Sipas informacioneve kanë qenë në Greqi, kanë ardhur nga Selaniku për të kaluar nga Shqipëria në Maqedoni, drejt Rumanisë, por për shkak të problemeve me siguracionin të makinës nuk janë lejuar te hyjnë në tokën maqedonase, ndaj janë rikthyer dhe një herë në Kapshticë për të hyrë në Greqi.



