
Efektivët e Kontingjentit të XVII EOD të Forcave të Armatosura të Shqipërisë po marrin pjesë në stërvitjen shumëkombëshe të NATO-s “Exercise OAK Resolve”, që zhvillohet në Letoni.
Pamje nga misioni i trupave shqiptare janë ndarë sot nga Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se këto forca janë të angazhuara në mbështetje të Brigadës Shumkombëshe të NATO-s, me detyra konkrete si asgjësimi i mjeteve të pashpërthyera (UXO) dhe hapja e korridoreve për lëvizjen e trupave.
“Ky angazhim rrit ndërveprueshmërinë me forcat aleate dhe forcon kapacitetet operacionale të njësive tona në mjediset ndërkombëtare,” u shpreh Rama.
Stërvitja e gjerë dhe gjithëpërfshirëse “Namejs 2025”, në të cilën përfshihet edhe “Exercise OAK Resolve”, po zhvillohet në të gjithë territorin e Letonisë nga 2 shtatori deri më 8 tetor.
Në këtë ushtrim marrin pjesë rreth 12 mijë trupa ushtarake, përfshirë forca nga Letonia dhe vende të ndryshme anëtare të NATO-s. Aktivitetet janë organizuar në bashkëpunim me Shtabin e Divizionit Shumkombësh të NATO-s “North”.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë stërvitje konfirmon angazhimin e saj të vazhdueshëm në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe rolin aktiv që Forcat e Armatosura shqiptare luajnë në misionet ndërkombëtare për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Këto stërvitje janë pjesë e përpjekjeve të NATO-s për të garantuar gatishmërinë ushtarake, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe reagimin efektiv në situata të ndryshme operacionale.



