
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK-së për shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Arben Vrioni, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Albana Shtylla, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen, që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Arben Vrioni kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Arben Vrioni. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 22 nëntor 2019 shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Arben Vrioni, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës, për shkak të problemeve që ishin gjetur në pasurinë e tij.
Gjyqtari Vrioni ka qenë pjesë e treshes gjykuese për çështjen e Emiljano Shullazit dhe 4 të pandehurve të tjerë.
Në vitin 1994 ai është transferuar si ndihmës gjyqtar në Gjykatën e Elbasanit. Në Gjykatën e Elbasanit Vrioni është emëruar fillimisht gjyqtar në vitin 1995, nënkryetar një vit më vonë dhe në vitin 1999 si kryetar. Në vitin 2012, ai është emëruar nga Presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.



