
Nga 1 korriku 2026 kanë nisur patrullimet e përbashkëta të zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
Sipas një njoftimi të publikuar nga Policia e Kosovës në rrjetet sociale, ky angazhim synon forcimin e bashkëpunimit profesional, rritjen e sigurisë rrugore dhe ofrimin e një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe përdoruesit e rrugëve, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur fluksi i lëvizjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës rritet ndjeshëm.
Në njoftim theksohet se patrullimet do të zhvillohen në koordinim të ngushtë ndërmjet dy policive, duke pasqyruar partneritetin e ndërtuar ndër vite dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit.
Policia e Kosovës vlerëson bashkëpunimin me Policinë e Shtetit Shqiptar dhe shpreh gatishmërinë për të vijuar iniciativa të përbashkëta që kontribuojnë në sigurinë e qytetarëve të të dy vendeve.
Njëkohësisht, autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në trafik.



