
Evolucioni i galaktikave është rikonstruktuar falë super kompjuterit “UniverseMachine”, i cili ka lejuar lindjen e mbi 8 milionë universeve. Në këtë mënyrë, studiuesit e Universitetit të Arizonës, të udhëhequr nga Peter Behroozi, zbuluan disa gjëra të reja në lidhje me formimin e yjeve, siç shpjegohet në revistën “Monthly Notices of the Royal Astronomical Society”. Ky është simulimi i parë i bërë në një shkallë kaq të madhe, rreth 400 milionë vjet pas “Big Bang”-ut e deri më sot. Në këtë mënyrë, ata zbuluan se universet e simuluara, të cilat sa vjen e më tepër u ngjajnë tonave, të gjitha kanë ligje të ngjashme fizike, ndërsa të kuptuarit tonë për formimin e yjeve duhet riparë disi.
"Kemi arritur në përfundim se galaktikat i formuan yjet në mënyrë më efikase në fillim. Kjo tregon se energjia e krijuar nga vrimat e zeza supermasive dhe shpërthimi i yjeve është më pak efikase sesa pritej në bllokimin e formimit të yjeve", tha Behroozi. /Ansa/



