
Identifikohen dy persona të tjerë të implikuar në veprimtarinë kriminale të shitjes në doza të lëndës narkotike kanabis sativa, në një lokal në qytetin e Laçit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Lezhë dhe ata të Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për përcaktimin e plotë të autorësisë së veprimtarisë kriminale të shitjes në doza të lëndës narkotike kanabis sativa, në qytetin e Kurbinit, rast i cili u godit më datë 27 qershor, si rezultat i operacionit policor të koduar “Ndërthurja”. Nga këto veprime, u vu në pranga shtetasi I. N., 23 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Gj., 23 vjeç, të dy banues në Kurbin, pasi nga hetimet rezultoi se janë të përfshirë në veprimtarinë kriminale të shitjes në doza të lëndës narkotike kanabis sativa. Aktualisht vijon puna për kapjen e shtetasit A. Gj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.



