
Gjykata e posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë pas hekurave Gentian Malindin, i ndaluar vetëm dy ditë më parë, ndërsa prej tre vitesh ndodhej në arrati.
“Arrest me burg” caktoi GJKKO ndaj tij, ndërkohë që Malindi akuzohet se është personi që ka porositur 137 kilogramë kokainë, lëndë narkotike e cila u bllokua në një konteiner portin e Durrësit në vitin 2019.
SPAK e akuzon 46-vjeçarin si pjesë të një grupi të strukturuar kriminal, që vepron në fushën e trafikut të drogës.
Malindi u arrestua ditën e enjte në zonën e Vorës, ku nga kontrolli fizik iu gjetën mbi 1 mijë euro, 11 500 lekë të rinj, tre celularë dhe dy mjete identifikimi të dyshuara të falsifikuara.
Akuzat që rëndojnë ndaj 46-vjeçarit janë “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”.



