
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë të Ardiana Beras, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vendimi u mor pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 24 prill me gjyqtaren Ardiana Bera.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Alma Faskaj, Xhensila Pine relatore, Pamela Qirko anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën u relatua se KPK i kishte kaluar Berës barrë prove për një bilanc negativ në disa vite, si dhe ju kërkuan shpjegime për vendimin në të cilin ka qenë anëtare e trupës që shpalli të pafajshëm gardistët e akuzuar për vrasjet e protestuesve më 21 janar të vitit 2011. Bera këmbënguli se kishte pasur të ardhura të ligjshme, ndërsa tha se vendimarrja e gjykatës mund të kontrollohej vetëm nga një gjykatë më e lartë.
Bera e ka filluar karrierën në vitin 1997 dhe deri në vitin 2010 ka ushtruar funksionin si gjyqtare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Në vitin 2010 ajo është transferuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Bera njihet nga opinioni publik për gjykimin e çështjes kundër oficerëve të gardës, Ndrea Prendi dhe Agim Llupi, të akuzuar për vrasjen e protestuesve gjatë tubimit të 21 Janarit, 2011.



