Një i dënuar ka humbur jetën në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier. Viktima është identifikuar si 52-vjeçari Artur Doku, banues në Burrel, i cili po vuante dënimin për një vrasje të kryer në vitin 1997.
Sipas burimeve, Doku kishte ende për të vuajtur rreth 9 vite e 5 muaj burg. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gjatë qëndrimit në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe ai u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mjekët konstatuan vdekjen.
Dyshohet se 52-vjeçari ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale, pasi kishte pasur më herët probleme kardiake. Trupi i pajetë është dërguar në morg për kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të rastit.
Nga të dhënat paraprake nuk rezultojnë shenja apo dyshime për një ngjarje kriminale. Shkaku zyrtar i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.



