
Një 22-vjeçar është plagosur me thikë pas një sherri të ndodhur pranë zonës së tregut në Dibër. Për këtë ngjarje, Policia ka vënë në pranga si autor të dyshuar një 26-vjeçar, dhe ka proceduar penalisht në gjendje të lirë 5 persona të tjerë, mes tyre dhe një i mitur.
Burimet thonë se të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta, ku njëri prej tyre plagosi me mjet prerës 22-vjeçarin. Ndërhyrja e policisë parandaloi përshkallëzimin e konfliktit.
“Shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në lagjen ‘Treg’, Peshkopi, po ndodhte një konflikt fizik mes disa të rinjve, ku falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është bërë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapja dhe arrestimi i shtetasit E. S., 26 vjeç, banues në Maqellarë, Dibër, për veprën penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’”, njoftoi policia.
Ky shtetas gjatë konfliktit për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës, shtetasin T. T., 22 vjeç, banues në Peshkopi, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Po në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes, ka rezultuar se janë përfshirë në konflikt për të cilët ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim, “Moskallëzim krimi”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, për shtetasit : Xh. C., 25 vjeç, M. A., 23 vjeç, Xh. A., 26 vjeç, B. S., 23 vjeç, Xh. L., 15 vjeç, banues në Dibër.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.



