
Policia e Durrësit ka goditur një bazë të përpunimit të drogave të forta që ndodhej në Durrës dhe ka vënë në pranga dy poseduesit e saj.
Sipas uniformave blu bëhet me dije se të arrestuarit janë Ergys Vogli 33 vjeç dhe Klejton Xhaferri, 32 vjeç, të cilët kishin përshtatur banesën e marrë me qira si bazë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë dhe heroinë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me qira një banesë në lagjen nr.8, Durrës dhe e kishin përshtatur atë për përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Gjithashtu gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip “Beretta”, municion luftarak, 2 peshore elektronike, një sasi prej 73.940 lekësh të rinj dhe 49 euro vlerë monetare e përfituar nga shitja e lëndës narkotike, 408 gramë lëndë narkotike heroinë dhe 11.5 gramë lëndë narkotike kokainë, të cilën këta shtetas e përgatisnin në doza të vogla, gati për shitje në qytetin e Durrësit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.



