Aksioni më i fundit për prishjet e ndërtimeve pa leje në Thesh ka sjellë reagime dhe akuza të shumta si të shoqërisë dhe politikës. Gjithçka nisi pasi Kryeministri Edi Rama akuzoi prokurorinë për pushimin e hetimeve ndaj ndërtimeve në parkun e Thethit.
Në 8 ditë aksion, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në Zonën e Thethit ka rrënuar mbi 100 objekte pa leje.
Gjithçka nisi më 7 korrik për të vijuar deri më 15 korrik 2025, ku janë shembur mbi 100 objekte pa leje, në pronësi të rreth 40 subjekteve.
Ndërtesat, të ndërtuara pa miratim ligjor, varionin nga 1 deri në 4 kate dhe ishin të ndërtuara me konstruksione betoni, metalike dhe druri.
Nga kontrollet në terren ka rezultuar se këto objekte shfrytëzoheshin kryesisht për qëllime shërbimi, në një zonë të mbrojtur që i përket Parkut Kombëtar Theth.
Por a ishte ky i vetmi aksion në këto ditë ku turizmi thuajse ka hapur dyert në pritje të vizitorëve?
Sipas informacioneve që emisionin “FactCheck” ka marrë pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit rezulton se ata kanë ndërhyrë edhe në: Vlorë, Himarë, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.
IKMT thotë se “për periudhën prill–qershor 2025, janë kryer ndërhyrje për prishjen e 48 objekteve pa leje në disa zona të vendit. Aksionet janë përqendruar në projekte me interes publik, si “Unaza e Madhe” në Tiranë, “Rikualifikimi i hyrjes së qytetit të Shkodrës”, projekti “Lungo Mare” në Vlorë, si dhe në zonat bregdetare të Himarës, Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës”.
Teksa IKMT ka përfunduar ndërhyrjet në Theth, Inspektoriati lokal në tiranë dhe në disa bashki të vendit ka ndërhyrë me çlirimin e hapësirave publike apo ato të bashkëpronësisë në pallate dhe komplekse.
Vetëm në Tiranë në javën e fundit janë çliruar sheshe publike si “21 Dhjetori”, “Piazza” në qendër, AirAlbania si dhe vijohet me komplekset e banimit.
IKMT u ka kërkuar lokaleve të heqin strukturat metalike karriget dhe tavolinat nga trotuaret e po ashtu ka mbyllur me dhjetëra parkingje private që operonin në lulishte apo trotuare.
Ndërsa më i ashpër ka qenë kryeministrit Rama i cili ka paralajmëruar se çdo hapësirë publike e privatizuar apo marrë në pronësi me legalizim do të anulohet dhe do të kthehet në lulishte.



