Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve se një mjek imazherist në Spitalin Rajonal të Fierit iu merrte para pacientëve për kryerjen e ekzaminimeve me eko, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier organizuan punën në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 929, datë 01.07.2025, për veprat penale të dyshuara “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas katër muajsh hetime, procedimi është finalizuar me arrestimin në flagrancë të shtetasit Gëzim Taullaj, 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në Spitalin Rajonal Fier.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale.
Gjithashtu, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



