Dy shtetasit rusë Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33 vjeçe dhe 25-vjeçari ukrainas Fedis Alpatov, kërkojnë nga gjykata e Lartë revokimin e masës së arrestit me burg, duke kërkuar hetimin në gjendje të lirë. Edhe pse mbi ta prokuroria e Elbasanit ka ngritur 3 akuza , si “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, ata kanë hedhur poshtë akuzat duke pretenduar se janë thjeshtë të apasionuar dhe puna e tyre bëhet publike në mendiat sociale.
Avokati i tyre Saimir Visha konfirmon për MCN se ata i janë drejtuar gjykatës së lartë dhe më pas çështjen do ta delegojnë në Gjykatën e Strasburgut. Gjatë marrjes në pyetje dhe njohjes me provat e prokurorisë ata kanë refuzuar dhe përkthyesin, një e drejtë kushtetuese për tu dëgjuar në proces. Në 20 shtatorit, Gjykata e Durrësit vendosi të lërë në burg tre të arrestuarit.
Dy rusët dhe ukrainasi u arrestuan në Gramsh në muajin gusht. Pas arrestimit, Mikhail Zorin shtetasi rus, ka deklaruar se është kontaktuar nga agjentë rusë për të bërë foto të objekteve të rëndësisë të veçantë si uzina ushtarake, porte dhe ujësjellës në vendin tonë, por thotë se nuk ka më shumë informacione.
Sipas tij komunikimi me agjentët e huaj bëheshin me aplikacionin Telegraf, por pa dhënë detaje rreth identiteteve të tyre. 23-vjeçari ka treguar se me dronin që u gjet në çantë, ka filmuar mbi liqenin e Bovillës dhe ka filmuar gjithashtu edhe në portin e Durrësit. Të gjitha sendet e gjetura janë në proces ekspertimi nga laboratori kriminalistikës, rezultatet e të cilave do të shërbejnë si provë në gjyq.



