
Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një të ri shqiptar, pasi është kapur në makinën e tij me 1 kilogram kokaine. Sipas mediave italiane, shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u ndalua nga policia teksa udhëtonte me një makinë sportive luksoze, tip Audi “A4 Rs”.
Të intriguar nga makina, efektivët e ndaluan shqiptarin në dalje të autostradës Sarzana, por sjellja nervoze e shoferit i bëri ata të kontrollonin me kujdes automjetin. Pas kontrollit, policia arriti të gjejë të fshehur sasinë e kokainës, e cila nëse hidhej në treg do të vlente 300 mijë euro.
Hetimet e policisë italiane tregojnë se shqiptari ishte një ndërlidhës për narkotikët, pasi droga mendohet të ketë ardhur nga Italia veriore dhe ishte destinuar për tregun lokal në “La Spezia”, në “Val di Magra” në provincën e Massa Carrara.



