Një person i cili plagosi me armë zjarri një tjetër në Kavajë, është vënë në prangat e policisë, bashkë me shtetasin që e ndihmoi të largohej nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, të mbrëmjes së të dielës në lagjen nr. 6, Kavajë, ku pas rreth tre orësh, u prangos autori i dyshuar në lagjen 17/1, Durrës, Pleurat Mustafa, 42 vjeç, banues në Kavajë.
I ndaluari, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se plagosi me pistoletë shtetasin Bari Doda, 39 vjeç, banues në Rikaj, Kavajë, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë veprimeve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë edhe i Agim Çelhyka, 35 vjeç, banues në Kavajë, i cili dyshohet se e ka ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja, duke e transportuar me automjet drejt Durrësit.
Shërbimet e policisë, pas disa orësh kontrollesh, bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë, të cilën autori e kishte hedhur gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.



