
Tre të rinj kanë mbetur të plagosur gjatë natës si pasojë e një aksidenti rrugor të ndodhur në fshatin Gjorm të Kurbinit.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti me të cilin ata po udhëtonin ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me barrierat mbrojtëse anësore.
Dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit nga ana e drejtuesit të automjetit.
Si pasojë e përplasjes, tre pasagjerët kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit, ndërsa po kryhen verifikimet për nivelin e alkoolit në gjakun e drejtuesit të mjetit.



