Dy persona të cilët transportonin me makinë rreth 60 kilogramë kanabis sativa, janë vënë në prangat e policisë së Tiranës.
Si rezultat i operacionit të koduar “Interruption 3”, u arrestuan në flagrancë shtetasit E. T., 37 vjeç dhe B. Sh., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin rrugor Mamurras-Kashar, në Thumanë, një automjet me të cilin dyshohej se po transportohej lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin E. T., dhe pasagjer shtetasin B. Sh., shërbimet e policisë kanë gjetur 59 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë e 6 gramë, që dyshohet se po ata po e transportonin me qëllim shitjen.



