Qeveria e Kosovës, e ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane “Contur Global”, për mosrespektim të kontratës me këtë rast shteti detyrohet t’ia paguajë kompanisë amerikane mbi 20 milionë euro.
Zyrtarët e ministrisë së Drejtësisë, në një bisedë për REL, deklaruan se Avokatura Shtetërore dhe përfaqësuesi ligjor i kontraktuar e kanë analizuar vendimin final të arbitrazhit dhe do të ankohen ndaj tij në gjykatën civile në Mbretërinë e Bashkuar.
Këtë marrëveshje me “Contur Global”, Qeveria e Kosovës e kishte nënshkruar në vitin 2017 për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.
Ky konsiderohej të ishte investimi më i madh i huaj në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillohet të ndërtohej në vitin 2020, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023.
Jetëgjatësia e tij ishte llogaritur të ishte 40 vjet.
Por, në mars të vitit 2020, kompania Contour Global kishte njoftuar tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndër mend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsyeje të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë.



