
Një rast i trafikut të lëndëve narkotike dhe mitdhënies është goditur në Pikën e Kalimit Kufitar në Kapshticë. Sipas policisë së Korçës, një 56-vjeçar u arrestua nën akuzën se tentoi të trafikonte lëndë narkotikr drejt Greqisë, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë dhe iu ofroi ryshfet punonjësve të policisë, me qëllim shmangien e kontrollit.
Gjatë operacionit u sekuestrua dy kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 600 euro.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, si dhe në bazë të analizës së riskut dhe shkëmbimit të informaciomeve me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë përzgjedhur për kontroll të imtësishëm në vijën e dytë, automjetin tip ‘Mitsubishi’ me drejtues shtetasin Gj. Z., 56 vjeç, banues në Shkodër”, njofton policia.
Si rezultat i kontrollit të ushtruar në mjet, në bagazhin e tij iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 pako me peshë 2 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Shtetasi Gj. Z., ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë duke iu ofruar 600 euro, me qëllim shmangien e kontrollit. Veprimet e mëtejshme procedurale dhe hetimore, u kryen nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.



